Vjedhja e identitetit është kur dikush merr dhe përdor informacionin personal të dikujt tjetër pa leje, zakonisht për qëllime mashtrimi ose përfitimi. Kjo mund të përfshijë përdorimin e emrit, numrit të letërnjoftimit, të dhënave bankare, fotografive apo kredencialeve online për të kryer veprime në emër të viktimës, efektivisht edhe të vjedhë identitetin. Shembuj të zakonshëm të vjedhjes së identitetit:
- Hapja e llogarive bankare ose rrjeteve sociale në emër të dikujt tjetër.
- Blerje online duke përdorur të dhëna të vjedhura të kartës së kreditit.
- Mashtrime përmes profileve të rreme në rrjetet sociale.
- Pasojat mund të jenë të mëdha ku viktima mund të humb para, t'i dëmtohet reputacioni, të humb qasje në mjetet e komunikimit, e madje edhe të ndiçet nga policia si i dyshimtë për ndonjë krim që nuk ka bërë.
Shembull: Në Kosovë janë regjistruar disa raste të vjedhjes së identitetit. Një rast i tillë ndodhi në mars 2024 në komunën e Zubin Potokopen_in_new, ku një person u arrestua pasi tentoi të pajisej me dokumente personale (pasaportë dhe patentë shoferi) duke përdorur të dhëna të rreme. Hetimet zbuluan se i dyshuari kishte siguruar ekstraktin e lindjes me deklarata të rreme, duke përfshirë edhe ndihmën e dy personave të tjerë. Të tre personat u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tyre u iniciuan procedura për veprat penale “vjedhje e identitetit”, “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “deklarim i rremë”.
Në Kosovë ka pasur grupe të cilat kanë hapur llogari të rreme në rrjete sociale me emra të personave të cilët ishin viktima të mashtrimit onlineopen_in_new. Si pasojë fotografi personale dhe private u shpërndanë ne rrjete sociale duke shantazhuar viktimat. Administratorët e grupit u dënuan me burg dhe dëmshpërblim. Megjithatë kur një fotografi postohet në internet, është e vështirë të fshihet totalisht, pasi që nuk mund ta dijmë sa persona apo cilët persona e kanë e ruajtur postimin.
Mësim: Ky rast tregon rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe kujdesin që duhet treguar gjatë ndarjes së informacionit personal, veçanërisht në mjediset online. Fëmijët dhe adoleshentët janë shpesh më të prekshëm ndaj këtij rreziku për shkak të mungesës së përvojës dhe mbrojtjes së pamjaftueshme të të dhënave të tyre.Prandaj duhet të keni kujdes me mënyrën se si ndani informatat tuaja personale dhe me kë i ndani ato.